Datë 06.07.2019 / Burimi: European Western Balkans
Burimi i fotografisë: Western Balkans Summit in Poznań; Ministry of Foreign Affairs of the Republic of Poland
Është mbajtur në datat 3-5 Korrik 2019 në Poznań, Poloni Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky samit vjen si vazhdimësi e Samiteve të mëparshme të Berlinit, Vjenës, Parisit, Triestes dhe Londrës. Në sajë të rëndësisë që kjo iniciativë ka për vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, CONNECT ju sjellë një përbledhje të pikave kyçe dhe konkluzionet kryesore në përfundim të Samitit.
Eventi tre-ditor i cili përbëhej nga Forumi i Think Tank-eve, Forumi i Shoqërisë Civile, Forumi i Biznesit, Takimet Ministrore dhe Samiti i Liderëve, solli edhe një herë në qendër të vëmendjes Ballkanin Perëndimor në një kohë kur BE-ja po përballet me sfidën e zgjedhjes së kandidatëve që do të mbajnë postet drejtuese në institucionet Evropiane.
Sipas konkluzioneve në deklaratën finale të Samitit, udhëheqësit politik që morën pjesë në Poznań, riafirmuan edhe një herë unanimisht mbështetjen e tyre të qartë mbi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, liderat e Ballkanit Perëndimor, konfirmuan angazhimin e tyre për forcimin e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë në rajon. Gjithashtu, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi vazhdojnë të mbeten kushtet kryesore për t’u anëtarësuar në BE.
Vendimi për presidencën e parë të përbashkët të Procesit të Berlinit e cila do të mbahet vitin e ardhshëm në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, bashkë me thirrjen që BE të identifikojë çdo kapje shtetërore në rajon dhe mbështetjen për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – duket se janë konkluzionet kryesore nga ky Samit.
Gjithashtu, pjesëmarrësit u angazhuan të përmirësojnë agjendën e ndërlidhjes në infrastrukturë si transporti, energjia dhe rrjetet digjitale, pasi këto fusha nuk janë vetëm jetike për qytetarët dhe ekonomitë respektive të vendeve, por gjithashtu rrisin stabilitetin politik dhe zhvillimin socio-ekonomik në këtë rajon. Në këtë kuadër, u vu re dhe mbështetja e projekteve të reja në Agjendën e Ndërlidhjes. Që prej vitit 2015, rajoni ka mundur të përfitojë nga grantet e BE-së më shumë se 880 milionë euro në një total prej 39 projektesh me kosto investimi prej më shumë se 3.2 miliardë euro. Zbatimi i 8 investimeve të reja dhe 31 të miratuara tashmë në shkallë të gjerë në infrastrukturë janë tregues të qartë të angazhimit ndaj Ballkanit Perëndimor.
Teksti i plotë i konkluzioneve të Samitit të Poznanit, mund të gjendet këtu.
- Ju mund të lexoni lajmin e plotë në gjuhën angleze duke klikuar në linkun: https://europeanwesternbalkans.com/2019/07/05/polish-government-releases-conclusions-of-the-western-balkans-poznan-summit/