KUSH NEGOCION ÇFARË?
Në dhjetor të vitit 2018, qeveria shqiptare miratoi Vendimin Nr. 749 Datë 19.12.2018 për “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për negociimin dhe përfundimin e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian“.
Kjo strukturë ndan dhe një qasje më gjithëpërfshirëse me aktorët e tjerë në shoqëri në sajë të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, e cila ka funksionin e informimit, konsultimit, komunikimit dhe përfshirjes së shoqërisë civile, grupeve të interesit, sindikatave, botës akademike dhe organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore në procesin e negociatave për anëtarësim në BE dhe në procesin e stabilizim-asocimit.
Struktura përgjegjëse për negociatat sipas këtij vendimi përbëhet nga:
- Komiteti Shtetëror për Integrimin Evropian;
- Delegacioni Shtetëror;
- Grupi Negociator;
- Misioni i Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
- Sekretariati i Integrimit Evropian;
- Grupet Ndërinstitucionale të Punës;
- Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian.
Një rol të veçantë në strukturën e negociatave zë gjithashtu Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, si koordinatori kombëtar për integrimin evropian si dhe Kryenegociatori, i cili do të kryesojë grupin negociator gjatë zhvillimit të negociatave në nivel teknik.
Për të kuptuar më mirë strukturat e ngritura dhe përgjegjëse për procesin e negociatave si dhe detyrat e institucioneve të përfshira në këtë proces dhe ndërveprimin mes tyre, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim ka përgatitur një infografikë të thjeshtuar të këtij vendimi: