Datë: 15 Shkurt, 2020 / Burimi: Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Burimi i fotografisë: Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI organizoi në datat 13-14 Shkurt, Seminarin Rajonal me temë “Investimi në njerëz dhe kohezioni social: Një perspektivë e rinisë dhe shoqërisë civile”. Ky event kishte për qëllim të ftonte palët e ndryshme të interesit, siç janë institucionet lokale dhe rajonale, shoqëria civile, akademia, media, organizata rinore etj., për të diskutuar dhe gjetur mënyra të reja inovative dhe të qëndrueshme për të punuar së bashku në fusha si lëvizshmëria dhe shtylla dixhitale, hartëzimi i potencialit ekonomik, inovativ dhe shkencor në vend si dhe politikat publike përkatëse që kanë një fokus të veçantë në inovacionin, lëvizshmërinë e të rinjve dhe akademikëve dhe punësimin.
Më 13 shkurt, ky seminar u përshtat në formën e një workshop-i ku aktorë të ndryshëm si organizatat e shoqërisë civile, akademikë, media, të rinjtë, etj., punuan së bashku në tre tema kryesore si: i) Edukimi dhe Punësimi, ii) Lidhshmëria dhe lëvizshmëria e të rinjve, dhe iii) Inovacioni, dixhitalizimi dhe media.
Më 14 shkurt, seminari rajonal filloi me fjalën përshëndetëse të Znj. Krisela Hackaj, Drejtore Ekzekutive e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Znj. Stine Klapper, Drejtoreshë e Fondacionit Friedrich-Ebert- në Tiranë, partner në këtë Projekt.
Nemanja Todorović Štiplija, Kryeredaktor i portalit European Western Balkans, prezantoi gjetjet e punës kërkimore mbi gjendjen aktuale të Zonës Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor, të përgatitur në kuadër të projektit nga CDI dhe partnerët e tij, si dhe rekomandimet e dala nga workshop-i rajonal i mbajtur më datë 13 Shkurt. Ai gjithashtu theksoi se në përgjithësi REA nuk po merr shumë vëmendje nga media, dhe më shumë informacion dhe transparencë duhet të shoqërojnë këtë proces.
Më pas, paneli “Investimi tek njerëzit dhe kohezioni social” filloi me znj. Tanja Miščević, ish-kryenegociatore e Republikës së Serbisë, Zëvendës/Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e cila shpjegoi arritjet kryesore dhe sfidat e Zonës Ekonomike Rajonale me një fokus të veçantë në zhvillimin e shtyllave më të drejtpërdrejta të lidhura me kapitalin njerëzor. Znj. Miščević është gjithashtu një njohëse shumë e mirë e procesit të integrimit në BE, ndaj dhe vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e rolit të shoqërisë civile dhe rinisë në hapat e parë të procesit të negociatave. Në lidhje me propozimin për metodologjinë e re të zgjerimit, Znj. Miščević theksoi se ky propozim ofron një impuls të fortë për shoqërinë civile, duke pasur parasysh që edhe nëse fondet për vendet kandidate pezullohen për shkak të drejtimit të kundërt të reformave, këto fonde do të vazhdojnë për shoqërinë civile. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme, shtoi ajo, që shoqëria civile të organizohet në koalicione ose rrjete për një ndikim më të madh në qeverisjen e demokracisë.
Znj. Oriana Arapi, Drejtore e Përgjithshme, Njësia për Qeverisje të Mirë dhe Politika e Zhvillimit, Departamenti i Zhvillimit dhe Qeverisjes së Mirë, Zyra e Kryeministrit shpjegoi rezultatet e komponentit të zhvillimit socio-ekonomik të raportit të monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (2015 -2017). Sipas raportit arsimi më i mirë, punësimi i të rinjve dhe aftësi më të mira trajnuese mbeten sfidat kryesore dhe do të jenë akoma një pjesë e rëndësishme e prioriteteve të Strategjisë tjetër të SKZHI 2030. Znj Arapi, shtoi se procesi i planifikimit për IPA 2021-2027 është duke ndodhur tani dhe pritet të përfundojë në Shtator në vijim me procesin e prioritizimit i cili do të kryhet në koordinim me Ministritë e linjës. Ajo theksoi domosdoshmërinë që të dy proceset të jenë të lidhura.
Po kështu, Znj. Mirela Muça, Drejtore e Agjencisë Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit shpjegoi situatën aktuale të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe sfidat kryesore që mbeten veçanërisht në përgatitjen e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), siç është një përfshirje më e gjerë e të gjithë aktorët si shoqëria civile, biznesi, media, universitete etj dhe disponueshmëria e të dhënave për ndërtimin e treguesve të nevojshëm që matin inovacionin dhe kërkimin shkencor. Nga progresi aktual në hartëzimin e potencialit të zhvillimit, Znj Muça veçoi sektorët kryesorë ekonomikë si: bujqësia, turizmi dhe energjia. Ajo shtoi gjithashtu se zona Tiranë-Durrës përfaqëson potencialin kryesor të zhvillimit në nivelin e vendit.
Paneli u përmbyll nga Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri i cili nënvizoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë për përfshirjen thelbësore të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e integrimit në BE. Sipas Z. Gjipali, momentumi aktual duhet të përdoret nga shoqëria civile për t’u organizuar, rrjetizuar dhe përgatitur mirë për të kontribuar dhe ushtruar presion në proceset e vendimmarrjes. Gjithashtu, znj. Gjipali theksoi mënyrën se si interesat e shoqërisë civile diktojnë nevojën për një bashkëpunim dhe rrjetëzim më të mirë dhe më të fortë midis grupeve të ndryshme të shoqërisë civile. Një sfidë kryesore në Shqipëri ka të bëjë me një akses më të mirë dhe përfitim më të madh nga instrumentet e financimit të disponueshëm dhe të ndryshëm të IPA.
Paneli u moderua nga Znj. Dafina Peci, Drejtoreshë Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar dhe u organizua në kuadër të projektit “Një qasje sektoriale për kontributin e shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian- CONNECT,” i cili financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë/ (CFCU) dhe zbatohet nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert (Tiranë) dhe Centar Savremene Politike / European Western Balkans (Beograd).
Një material përmbledhës bazuar në përfundimet e dy tryezave të mëparshme, diskutimet rajonale të workshop-it dhe inputet kryesore nga seminari rajonal do të publikohet shumë shpejt.
Axhenda e seminarit rajonal mund të konsultohet këtu.