Datë: 10 Qershor, 2021 / Burimet: European Western Balkans, European Commission
Burimi i fotografisë: Bashkimi Europian
Samiti i Tiranës: Takimi i Liderëve të Ballkanit Perëndimor
Më 10 qershor 2021 u organizua Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku morrën pjesë Kryeministrat dhe Presidentët e gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Bosnje & Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi) dhe Komisioneri I BE-së për Zgjerimin dhe politikën e Fqinjësisë, Olivér Várhelyi.
Fokusi kryesor i diskutimeve, që u zhvilluan gjatë Samitit, ishte zbatimi i Planit Ekonomik dhe të Investimeve (EIP) që u miratua nga Komisioni Evropian, më 6 tetor, 2020. Sipas EIP- së, 29 miliardë euro do t’u ofrohen vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të ndihmojnë në rimëkëmbjen e tyre pas pandemisë Covid-19 dhe konvergjencën e tyre legjislative me BE. Përveç kësaj, EIP ka objektiva të tjerë si nxitja e integrimit rajonal dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, Komisioneri Olivér Várhelyi deklaroi se “Ne jemi të gatshëm të rikonfirmojmë angazhimin tonë me planin ekonomik dhe të investimeve. Një plan që kemi lançuar që nga vjeshta, e cila mobilizon një të tretën e PBB-së së rajonit. Janë €29 miliardë në formën e investimeve që do të vijnë në rajon. Ky plan nuk do të funksionojë nëse vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, nëse nuk kemi një treg rajonal ”. Komisioneri shtoi se treguesi i parë i suksesshëm i ndikimit që EIP ka pasur në vendet e Ballkanit Perëndimor është përdorimi falas i roaming telefonik në rajonin e BP.
Më 24 dhe 25 qershor 2021, Këshilli Evropian do të diskutojë mbi rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, migracionin dhe marrëdhëniet e jashtme, si dhe vendimin mbi temën e mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare e cila do të fillojë zyrtarisht procesin e integrimit në BE të Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, më 5 korrik do të mbahet Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit ku do të analizohet progresi i procesit të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.