Datë: 27 Shtator, 2019 / Burimi: BIRN
Burimi i fotografisë: EPA-EFE/HAYOUNG JEON
Deputetët gjermanë kanë votuar këtë të enjte në favor për të caktuar një datë fillimi për bisedimet e pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe pse vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Evropian në tetor të këtij viti, mbështetja e Parlamentit Gjerman është padyshim një lajm tejet pozitiv për të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor.
Një shumicë e madhe prej 476 deputetësh votuan pro hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, ndërsa 122 ishin kundër dhe 16 abstenuan. Për Shqipërinë, 395 deputetë mbështetën fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, 188 ishin kundër ndërsa 16 abstenuan.
Nëse për Maqedoninë e Veriut, deputetët gjermanë nuk vendosën kushte për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE, për shkak të marrëveshjes historike të “emrit” të vitit 2018 me Greqinë, si një arritje shembullore për të gjithë rajonin, me Shqipërinë situata ishte pak më ndryshe.
Sa i përket vendit tonë, Bundestagu Gjerman rekomandoi caktimin e një date për fillimin e bisedimeve, por kushtëzoi fillimin teknik të këtyre bisedimeve me qëllim që Shqipëria të krijojë si fillim kushtet që Gjykata e saj Kushtetuese të funksionojë dhe të reformojë ligjet e saj zgjedhore.
Ky votim i Bundestagut Gjerman është përshëndetur dhe nga Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn. Në një postim në rrjetin social Twitter, Hahn u shpreh se:”Njohja e progresit konkret është thelbësore për nxitjen e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe për besueshmërinë e BE-së!”.
Duket se vendimi në Berlin do të shtojë shpresat e qeverive në Shkup dhe Tiranë, të cilët prej kohësh shpresojnë të marrin një datë të saktë për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE para fundit të këtij viti.
Megjithatë, të dyja vendet do të përballen tashmë me rezervat e Francës, Hollandës dhe disa vendeve të tjera të BE që kanë kritikuar veçanërisht rezultatet e dobëta të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.