Procesi i negociatave është faza kryesore për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Ky proces është i lidhur ngushtë me ecurinë e reformave në sektorët përkatës si dhe me qëndrueshmërinë e tyre në të ardhmen. Megjithatë, dinamikat e negociatave për anëtarësim po lëvizin gradualisht nga implementimi procedural i acquis communautaire (shpesh i përshkruar si provimi pranues) drejt sigurimit që ky acquis po zbatohet siç duhet nga vendi i pranimit dhe se është i qëndrueshëm. Kjo dinamikë përfshin një zhvendosje nga procesi tekniko-mekanik i hapjes / mbylljes së kapitujve të udhëhequr nga administrata publike, dhe drejt një qasjeje më të përqëndruar tek qytetarët. Në këtë kuadër, është e nevojshme që ky proces të njihet mirë nga qytetarët me anë të një informacioni më të aksesueshem, të qartë dhe miqësor për të bërë të mundur përfshirjen e aktorëve joqeveritarë në këtë proces të rëndësishëm.
Procesi i anëtarësimit në BE të një vendi kandidat është i përbërë nga dy procese paralele:
Me marrjen e vendimit për Hapjen e Negociatave për vendin kandidat Këshilli i Bashkimit Evropian miraton një kornizë për negociatat, e cila është hartuar nga Komisioni Evropian. Kjo kornizë i paraqitet vendit kandidat në fillim të hapje së negociatave.
Negociatat janë të rëndësishme si për vendin kandidat dhe për BE, sepse nga njëra anë ato ndihmojn vendin kandidat në përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit dhe nga ana tjetër i japin mundësinë BE të përgatitet për zgjerimin e radhës.
Negociatat kanë për qëllim miratimin dhe vënien në zbatim të acquis të BE-së, të organizuar në 33 kapituj dhe ajo realizohet për secilin kapitull sipas këtij procesi:
- Shqyrtimi – Screening. Komisioni Evropian, së bashku me vendin kandidat, kryen një kontroll të hollësishëm të çdo kapitulli, për të përcaktuar përgatitjen e vendit kandidat në këto kapituj. Shqyrtimi për çdo kapitull mbahet në dy faza: Faza shpjeguese dhe Shqyrtimi dypalësh.
- Raporti i Shqyrtimit – Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet shteteve anëtare për miratim në formën e një raporti shqyrtimi. Ato përmbajnë rekomandime nëse bisedimet mund të hapen direkt, (procedura e shkurtër) apo do të duhet të plotësohen më parë disa kushte (procedura e dytë).
- Kriteret për hapjen dhe mbylljen e kapitullit.
- Qëndrimet negociuese.
- Projektqëndrim i përbashkët
- Konferenca Dypalëshe Ndërqeveritare.
- Pozicioni i Përbashkët Përmbyllës i BE-së.
- Mbyllja e kapitujve
Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se për Kapitujt 23 dhe 24 Komisioni ka vendosur që do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit.