Datë 4.06.2019/ Burimi: Komisioni Evropian
Burimi i fotografisë: Komisoni Evropian
Gjatë dekadave të fundit, Bashkimi Evropian është karakterizuar nga një rritje e popullsisë, edhe pse tashmë kjo popullsi po përballet me fenomenin e plakjes. Sot, njësoj si kontinetet e mëdha të Amerikës së Veriut dhe Azisë Lindore, BE-ja po lëviz drejt një popullsie me jetëgjatësi më të lartë, fertilitet më të ulët të dhe arsimim më të mirë. Në kuadër të këtyre zhvillimeve demografike, lind dhe pyetja: Kush do të jetojë dhe punojë në Evropë në të ardhmen? Sa veta do të jetojnë në kontinentin Evropian dhe si do të jetë forca punëtore?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve si dhe për të marrë vendimet e duhura për të ardhmen, është e rëndësishme që fillimisht të kuptohet se si do të jetë zhvillimi demografik i BE-së në vitet në vijim.
Në këtë kuadër, së fundmi Qendra e Ekspertizës për Popullsinë dhe Migracionin – CEPAM bashkë me Institutin Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara – IIASA, ka publikuar një raport mbi “Skenarët Demografikë për BE – Migracioni, Popullsia dhe Arsimi”.
Për të kuptuar trajektoret e mundshme për demografinë e ardhshme të BE-së, raporti bën parashikime për vitin 2060, duke parë ndikimin afatgjatë sa i takon fertilitetit, vdekshmërisë, migrimit, ndryshimeve në nivelet e arsimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës. Gjithashtu, ky raport analizon skenarë alternativë që mund të kufizojnë ose të ndalojnë pasojat e padëshiruara të tendencave aktuale demografike.
Gjetjet kyçe të raportit
- Deri në vitin 2060, 1/3 e popullsisë së BE do të jetë mbi 65 vjeç;
- Forca e punës në BE do të jetë më e vogël, por edhe më e arsimuar;
- Popullsia në moshë pune parashikohet të reduktohet në 84% të nivelit të saj aktual;
- Fertiliteti i lartë ose rritja e migrimit nuk janë të mjaftueshme për të përballuar sfidat e plakjes së popullsisë së BE;
- Lëvizshmëria e qytetarëve të BE-së drejt Evropës Perëndimore në kërkim të pagave më të larta ose mundësive më të mira për punësim, përkeqëson plakjen e popullsisë dhe ndikon në uljen e popullsisë në vendet e tjera të BE-së.
Së fundmi, njohja me ndikimin e këtyre ndryshimeve demografike është një tregues i qartë se cilat janë politikat që duhen ndjekur për të adresuar dhe zgjidhur problemin e plakjes së popullsisë në BE dhe çështje të ngjashme që lidhen me këtë fenomen.
Ju mund të lexoni më shumë mbi raportin dhe gjetjet e tij në linkun: https://ec.europa.eu/jrc/en/eu-demographic-scenarios