Për Bashkimin Evropian Shoqëria Civile ka një rol shumë të rëndësishëm. Pikërisht rëndësia e saj është e përcaktuar në Nenin 15 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian ku njihet roli vendimtar i shoqërisë civile në qeversisjen e mirë të një vendi.
Të gjithë institucionet dhe organizmat e Bashkimit Evropian kanë për qëllim të funksionojnë në mënyrën më transparente të mundshme për të promovuar qeverisjen e mirë dhe garantuar pjesëmarrjen e shoqërise civile në të. Roli i shoqërisë civile shihet në:
- Të drejtën e informimit mbi dokumentat zyrtare;
- Realizimin e një dialogu të hapur, transparent dhe të rregullt me shoqërinë civile gjatë propozimeve legjislative të Bashkimit Evropian;
- Pjesëmarrjen në vendim-marrjen publike dhe dhënien e opinionit nga shoqëria civile;
- Realizimin e konsultimeve të vazhdueshme me shoqërinë civile në kuadër të veprimtarisë së Bashkimit Evropian;
- Të drejtën e iniciativës qytetare që gëzojnë qytetarët e Bashkimit Evropian, për të detyruar këtë të fundit të nxjerr një akt ligjor në kuadër të zbatimit të traktateve.
Angazhimi i Shqipërisë në integrimin evropian kërkoi ndryshimin e kuadri legjislativ për realizimin e gjithë të drejtave që gëzon shoqëria civile në nivel Bashkimi Evropian, duke përfshirë këtu dhe mbështetjen financiare për realizimin e nismave në të mirë të interesit publik. Kuadri legjislativ dhe mekanizmat institucional të përfshirjes së shoqërisë civile në nivel shtetëror qoftë për vendim-marrjen publike apo procesin e integrimit evropian janë:
- Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC)– krijuar me Ligjin nr.10 093, datë 9.3.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile” – e cila ka mision themelor nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma civile, në të mirë dhe në interes të publikut. Ajo ofron asistencë financiare për programet, që nxisin e forcojnë qëndrueshmërinë e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin ndërsektorial e ndërkombëtar të aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile.
- Këshilli Kombëtar i Integrimin Evropian (KKIE) – krijuar me Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” – Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian – është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, që ngrihet pranë Kuvendit, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit. Roli i Këshillit Kombëtar të Integrimi Evropian është mjaft i rëndësishëm sepse është struktura që ndër të tjera monitoron zbatimin e detyrimeve për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe ecurinë e procesit të negociatave/bisedimeve për anëtarësim. Po ky ligj vendos një bashkëpunim tjetër ndërmjet shoqërisë civile dhe Kuvendit, që është bashkëpunimi i Komisionit për Integrimin Europian dhe komisioneve të përhershme të Kuvendit, sipas fushës së përgjegjësisë, për të ftuar grupet e interesit për të marrë pjesë në seanca dëgjimore që lidhen me procesin e integrimit, si dhe në procesin e miratimit të kuadrit ligjor që synon përafrimin e legjislacionit. Gjithashtu, Komisioni për Integrimin Europian ka detyrim të organizojë takime të hapura me shoqërinë civile për diskutimin e projektit të Planit të Veprimit të Kuvendit, për zbatimin e masave konkrete, lidhur me përparësitë për integrimin në Bashkimin Europian.
- Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSH) – u krijua me Ligjin nr. 119/2015 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile”– garanton bashkëpunimin institucional me organizatat e shoqërisë civile në Republikën e Shqipërisë, në dobi të zgjerimit të demokracisë, konsolidimit të qeverisjes së mirë dhe rritjes së transparencës në vendimmarrjen publike, nëpërmjet përfshirjes më të mirë të shoqërisë civile në këtë proces. Ky Këshill këshillon Këshillin e Ministrave për përcaktimin e politikave shtetërore për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe përmirësimet legjislative; propozon Këshillin e Ministrave për programet kryesore për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe përfshirjen e këtij sektori në problematika që lidhen me kryerjen e reformave në fushën ekonomike, sociale, integrimin evropian, respektimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut dhe forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend.
- Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian – u krijua me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 749, datë 19.12.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” – bën të mundur informimin, konsultimin, komunikimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile, grupeve të interesit, sindikatave, botës akademike në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e stabilizim- asociimit. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj platforme shoqëria civile monitoron politikat publike në kuadër të procesit të negocimit dhe jep ekspertizën e saj në fusha të ndryshme të acquis të Bashkimit Evropian.
Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian përbëhet nga Bordi Drejtues dhe 33 tryeza të diskutimit dhe të këshillimit, të cilat krijohen në mënyrë simetrike me kapitujt e “acquis” të BE- së. Bordi Drejtues kryesohet nga Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në përbërje të tij janë 15 anëtarë:
-
-
- Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- Kryenegociatori;
- Drejtuesi i Sekretariatit të Integrimit Evropian;
- Drejtori përgjegjës për bashkëpunimin territorial për zbatimin e projekteve IPA;
- Drejtori përgjegjës për koordinimin e programeve kombëtare e rajonale të IPA-s;
- Dy përfaqësues të shoqatave të organeve të pushtetit vendor;
- Dy përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile;
- Dy përfaqësues të komunitetit të biznesit;
- Dy përfaqësues të shoqatave të punëmarrësve;
- Dy përfaqësues të botës akademike.
Anëtarët e tryezave të diskutimit dhe të këshillimit sipas përcaktimit të urdhrit janë përfaqësuesit e:
-
-
- OSHC;
- Pushtetit vendor;
- Shoqatave të punëmarrësve;
- Botës Akademike;
- Medias;
- Grupeve të tjera të interesit.