Rëndësia e shoqërisë civile në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është evidentuar edhe në strategjinë e re të zgjerimit miratuar nga Komisioni Europian më 6 shkurt 2018. Me anë të këtij dokumenti, Bashkimi Evropian ri-thekson rëndësinë për të përfshirë në procesin e integrimit të vendit, aktorët e tjerë si shoqëria civile dhe grupet rinore. Në këtë kuadër, BE-ja është angazhuar vazhdimisht për të promovuar rolin e aktorëve të shoqërisë civile, punën dhe aktivizmin e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në Shqipëri. Gjithashtu, BE-ja ofron mbështetje të vazhdueshme financiare për organizatat e shoqërisë civile në vendin tonë. Duke marrë në konsideratë rëndësinë për të përfshirë dhe angazhuar këto grupe në procesin e integrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe jo vetëm, CONNECT ka për qëllim të ofrojë një kontribut në diskutimet e vazhdueshme mbi shkallën dhe efektivitetin të shoqërisë civile lokale shqiptare dhe përfshirjen e të rinjve në reformat e brendshme, hartimin e politikave dhe në vendim-marrje.
Sipas studimit online të kryer nga ekipi i projektit për të hartuar dhe analizuar OSHC-të dhe aktorët e tjerë (shoqatat profesionale, akademikë, mediat etj) aktive në fushën e integrimit evropian, rezulton se vetëm 22.7% e organizatave veprojnë në këtë fushë, ndërkohë që përqindjen më të madhe të fushës së veprimtarisë e zënë të drejtat e njeriut dhe shtresat në nevojë më 45.5. %, e pasuar nga arsimi dhe rinia me rreth 44.3 %, (shiko grafikët më poshtë).
Gjithashtu, rreth 55.7 % e të anketuarëve shprehen se deri tani, oshc-të kanë qënë të përfshira vetëm në mënyre sipërfaqësore në procesin e integrimit evropian. Shkak për këtë fenomen është mungesa e kapaciteteve dhe mbështetjes financiare, të cilat janë asetet kryesore për të fuqizuar dhe për të advokuar informacionin e nevojshëm në target grupet përkatëse, veçanërisht në zonat rurale.