Datë: 13 Dhjetor, 2019 / Burimi: CONNECT- CDI
Burimi i fotografisë: CONNECT / CDI
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI organizoi më 13 Dhjetor 2019, tryezën e rrumbullakët “Konvergjenca ekonomike dhe sociale: Arritjet aktuale dhe sfidat e ardhshme të reformave në Shqipëri”. Kjo tryezë kishte për qëllim të informonte dhe të nxiste një diskutim mbi ecurinë e zbatimit të Zonës Ekonomike Rajonale – REA, të përgatitjes së strategjisë së specializimit inteligjent mbi identifikimin dhe prioritarizimin e investimeve kërkimore, si edhe përcaktimin e një vizioni të përbashkët për inovacionin në nivel kombëtar dhe rajonal, dhe mbi politikat publike që kanë një fokus të veçantë në fusha si inovacioni, lëvizshmëria e të rinjve dhe akademikëve, dhe punësimi.
Tryeza e rrumbullakët filloi me fjalën përshëndetëse të Znj. Krisela Haçkaj, Drejtore Ekzekutive e Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit dhe Znj. Stine Klapper, Drejtore e Zyrës Tiranë, Fondacioni Friedrich Ebert, partner në këtë projekt.
Znj. Haçkaj theksoi rëndësinë e prioritizimit të masave lidhur me arsimin në programin e përgjithshëm të politikave publike, si dhe kryerjen e vlerësimit të ndikimit të strategjive të ndryshme në fuqi që mbulojnë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Ajo gjithashtu theksoi se si përfshirja e të rinjve në debatet sektoriale, edhe pse ndonjëherë shumë teknike, mund të jetë një vlerë e shtuar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Më pas, paneli filloi me Znj. Florensa Haxhi, Drejtor për Programet e Zhvillimit dhe Menaxher i Programit për Zonën Ekonomike Rajonale, Zyra e Kryeministrit, e cila shpjegoi arritjet aktuale të Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe sfidat e mbetura në këtë fushë. Znj. Haxhi shtoi se fokusi kryesor për momentin mbetet tek rinia dhe politikat përkatëse, siç është ligji për startup-et dhe lehtësirat e mundshme fiskale për të rinjtë që duan të ndërtojnë një start-up. Për më tepër, Znj. Haxhi informoi se studimi mbi situatën e infrastrukturës broadband në Shqipëri, përfshirë vlerësimin përkatës financiar për ndërhyrjen në këtë sektor, do të prezantohet shumë shpejt. Gjithashtu, Znj. Haxhi bëri me dije se raporti mbi hartën e potencialit ekonomik, inovacionit dhe shkencës për specializimin inteligjent në Shqipëri në kuadër të procesit të strategjisë të specializimit inteligjent S3 do të prezantohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Znj. Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të Këshilli i Investimeve theksoi se mungesa e informacionit dhe të dhënave mbetet një sfidë e madhe në Shqipëri. Sipas Znj. Leka, Shqipëria mund të jetë konkurruese në shumë fusha, por si fillim duhet që ne të njohim sektorët ku kemi një avantazh krahasues, ndërsa theksoi se arsimi mbetet elementi kryesor për të arritur një konkurrencë të qëndrueshme. Së fundmi, Znj. Leka gjatë ndërhyrjes së saj theksoi gjithashtu rëndësinë e fokusit në përcaktimin e vizionit të zhvillimit të vendit.
Po kështu, Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë theksoi rëndësinë e ndërlidhjes dhe ndërtimin e lidhjeve sistemike që shpejtojnë dhe lehtësojnë miratimin e legjislacionit në fushat e mësipërme. Për sa i përket Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor (MAP REA), Z. Shkodra shtoi se Shqipëria së pari duhet të ketë një vision dhe program të qartë të brendshëm, përfshirë parashikimet për fushat e investimeve në të ardhshme, si psh.hartimi i një Agjende 2030, dhe më pas të jetë në gjendje të integrohet dhe të marrë pjesë plotësisht në tregjet rajonale nën MAP REA. Gjithashtu, ai nënvizoi se ri-aftësimi është një nevojë urgjente që modeli i arsimit duhet të arrijë pasi është thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social të vendit.
Paneli u përmbyll nga Znj. Dafina Peci, Drejtoreshë Ekzekutive, Kongresi Rinor Kombëtar, e cila nënvizoi domosdoshmërinë për hartimin e politikave rinore gjithëpërfshirëse që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset e vendimmarrjes jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Sipas Znj. Peci ka një mungesë të theksuar të fondeve dhe planeve strategjike për punësimin e të rinjve dhe pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin lokal. Znj. Peci gjithashtu shtoi se të rinjtë shqiptarë duhet të jenë më të informuar sa i takon kapitujve si 19 & 26 të acquis të BE-së që kanë të bëjnë veçanërisht me rininë.
Tryeza u moderua nga Znj. Ornela Liperi, Kryeredaktore e Revistës Monitor dhe u organizua në kuadër të projektit “Një qasje sektoriale për kontributin e shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian- CONNECT”, i cili financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Shqiptare (CFCU) dhe zbatohet nga Instituti për bashkëpunim dhe Zhvillim në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert (Tiranë) dhe Qendra Savremene Politike / European Western Balkans (Beograd).
Pjesëmarrësit në këtë tryezë theksuan rëndësinë e faktorëve demografikë në zhvillimin e politikave publike, rritjen e aftësive kërkimore dhe inovative të universiteteve, rritjen e lëvizshmërisë së mësuesve dhe studentëve në rajon, si dhe adaptimin e kurrikulave në universitete në mënyrë që të maksimizohet impakti i strategjive dhe instrumentave të zhvillimit në dispozicion apo në në zhvillim e sipër.
Një dokument pune që pasqyron diskutimet e kësaj tryeze do të botohet shumë shpejt.
Agjenda e tryezës mund të konsultohet këtu.