Datë: 1 korrik, 2021/ Burimi: Këshilli Europian dhe Presidenca Sllovene
Burimi i fotografisë: Këshilli Europian
Duke filluar që prej datës 1 korrik, 2021, Sllovenia do të kryesojë 6 mujorin e ardhshëm të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian. Kjo është hera e dytë që Sllovenia merr Presidencën e Këshillit duke përmbushur kështu punën e Trios aktuale, në të cilën përfshihet Gjermania (gjysma e dytë e vitit 2020) dhe Portugalia (gjysma e parë e 2021).
Fokusi kryesor në Presidencën e Sllovenisë, do të jetë kontributi për forcimin e rezistencës së Bashkimit Europian në fushën e shëndetit, ekonomisë, energjisë, klimës dhe krizës kibernetike.
Nën sloganin: Së bashku, Rezistencë, Europë, (“Together. Resilient. Europe”) Sllovenia ka prezantuar prioritetet e saj gjatë presidencës, të cilat janë përcaktuar në katër kapituj kryesor:
- Rezistenca dhe rimëkëmbja e Bashkimit Evropian. Një Bashkim Evropian strategjikisht autonom.
Zhvillimi i planeve dhe instrumenteve për të forcuar qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian ndaj pandemive dhe sulmeve kibernetike. Një rimëkëmbje e Bashkimit Evropian pas pandemisë që bazohet në një tranzicion dixhital, të gjelbër dhe të drejtë.
Emergjenca aktuale shëndetësore për shkak të pandemisë Covid- 19 kërkon një angazhim në nivel Europian e për pasojë Presidenca Sllovene do t’i japë prioritet ndërtimit të Bashkimit Europian të Shëndetit (European Health Union) dhe do të mbështesë propozimin për të krijuar Autoritetin e Gatishmërisë dhe Reagimit ndaj Emergjencave Shëndetësore.
Për të rritur rolin e BE-së dhe për ta pajisur atë me mjetet e duhura për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve evropianë, Presidenca Sllovene do të përqendrohet, në veçanti, në ndërtimin e një Bashkimi Evropian të Shëndetit. Presidenca Sllovene kërkon të forcojë autonominë strategjike të BE-së dhe të përmirësojë kapacitetin e saj për të siguruar disponueshmërinë e produkteve medicinale dhe pajisjeve mjekësore, dhe për të lehtësuar kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e tyre. Presidenca Sllovene mbështet propozimin ambicioz për krijimin e një Autoriteti të Gatishmërisë dhe Reagimit të Emergjencave Shëndetësore (Health Emergency Preparedness and Response Authority- HERA).
Kjo periudhë, gjatë së cilës jeta dhe puna janë zhvendosur në internet, ka nxitur edhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj sulmeve kibernetike, duke e kthyer forcimin e rezistencës kibernetike europiane në prioritet për Presidencën Sllovene.
Sipas Presidencës Sllovene duhet të sigurohet një rimëkëmbje e qëndrueshme në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jetës publike. Për të zbutur pasojat socio- ekonomike të pandemisë një nga përparësitë e Presidencës Sllovene do të jetë zbatimi efektiv i instrumentit të Gjeneratës së Ardhshme Europiane (Next Generation EU) dhe Objektit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (Recovery and Resilience Facility), me qëllim lehtësimin e miratimit të planeve kombëtare për rimëkëmbjen.
- Konferenca për të Ardhmen e Evropës.
Organizimi i diskutimeve të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në propozime se si të ndërtohet një e ardhme e përbashkët evropiane.
Në funksion të shumë sfidave me të cilat është përballur BE gjatë viteve të fundit, ekziston nevoja, tani më shumë se kurrë, për një debat gjithëpërfshirës mbi të ardhmen e përbashkët. Konferenca për të Ardhmen e Evropës filloi zyrtarisht në 9 maj 2021 dhe pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2022. Qëllimi i saj është të sigurojë një forum për një debat në të gjithë Evropën mbi atë se si duhet të duket BE në të ardhmen për të përmbushur pritjet e qytetarëve të saj.
Shumica e diskutimeve lidhur me Konferencën për të Ardhmen e Europës do të mbahen nën Presidencën Sllovene. Duke marrë parasysh këtë fakt, programi i saj bazohet në Axhendën Strategjike të BE për 2019-2024 dhe është në përputhje me programin 18 – mujor të Këshillit, i cili mbulon periudhën e presidencës Trio. Ky program detajon përparësitë dhe udhëzimet kryesore të Sllovenisë për aktivitetet e saj gjatë presidencës Sllovene të Këshillit të BE për periudhën 1 korrik – 31 dhjetor 2021.
- Një bashkim i mënyrës evropiane të jetës, sundimit të ligjit dhe kritereve të barabarta për të gjithë.
Një bashkim i të drejtave dhe përgjegjësive të ekuilibruara, një nivel i lartë i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes.
Në bazë të raportit vjetor të Komisionit Evropian, Presidenca Sllovene e Këshillit të BE do të drejtojë një dialog vjetor mbi situatën në lidhje me sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në vendet individuale anëtare. Qëllimi është të promovojë një kulturë të sundimit të ligjit në të gjithë BE-në dhe, përmes debatit gjithëpërfshirës, t’u mundësojë vendeve anëtare të mësojnë nga përvojat e njëri-tjetrit.
- Një Bashkim Evropian i besueshëm dhe i sigurt. Një union që është i aftë të sigurojë siguri dhe stabilitet në lagjen e tij.
Një bashkim bashkëpunimi brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut. Një bashkim që kërkon në mënyrë aktive të arrijë objektivin e mëposhtëm strategjik: Evropa, e tërë, e lirë dhe në paqe me veten dhe kontinentet e tjera. Një bashkim i kufijve të jashtëm të mbrojtur dhe një dallim i qartë midis migrimit të ligjshëm dhe të paligjshëm.
Ndryshe nga Presidenca Portugeze, duket se gjatë Presidencës Sllovene vëmendje e veçantë do t’i jepet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ardhmes së tyre në Europë dhe procesit të zgjerimit të vazhdueshëm të BE. Rimëkëmbja ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm, ndërlidhshmëria dhe qëndrueshmëria janë qëllimet kryesore të Presidencës Sllovene për këtë rajon ku do të mbahet edhe Samiti BE – Ballkani Perëndimor në vjeshtën e këtij viti.
Në këtë drejtim, gjatë presidencës së saj, Sllovenia do të vendosë në qendër të përpjekjeve forcimin e sigurisë së BE, dhe në këtë kontekst regjimi Shengen dhe funksionimi i plotë i tij merr një rëndësi të madhe.
Me synimin për të menaxhuar në mënyrë efektive presionet e migracionit, Sllovenia do të ketë si prioritet avancimin e negociatave mbi Paktin e Ri për Migracionin dhe Azilin dhe të forcojë rolin e Bashkimit Evropian në çështjet e migrimit.
Për të lexuar programin e plotë të Presidencës Sllovene, klikoni këtu.