Datë: 9 korrik, 2021/ Burimi:European Western Balkans
Burimi i fotografisë: Federal Government/Bergmann
Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, u mbajt online në datat 5-6 korrik dhe u drejtua nga Kancelarja Angela Merkel, ku bashkë me pjesëmarrësit, u bë një përmbledhje e rezultateve të bashkëpunimit rajonal duke nënvizuar dhe hapat e ardhshëm që duhen hedhur në drejtim të një bashkëpunimi më të gjërë në të ardhmen.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel. Krahas takimeve vjetore të zyrtarëve më të lartë qeveritarë, Procesi i Berlinit përfshin dhe takimet e përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile (Forumi i Shoqërisë Civile), organizatat rinore (Forumi Rinor) dhe shoqatat e biznesit (Forumi i Biznesit).
Pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat është përballur procesi, gjatë samitit theksi u vu edhe tek arritjet si marrëveshja rajonale roaming, e cila hyri në fuqi në 1 korrik, Green Lanes themeluar vitin e kaluar, si dhe Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe hapat drejt Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM).
Një tjetër arritje është gjithashtu edhe krijimi i Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor i cili përfaqëson një mundësi shumë të mirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi mes të rinjve të rajonit përtej dallimeve etnike, gjuhësore apo fetare.
Progres i konsiderueshëm është arritur gjithashtu në fushën e infrastrukturës së transportit dhe energjisë gjë e cila ka përmirësuar dhe ndërlidhshmërinë në rajon, ndërkohë që një vëmendje e vecantë i është kushtuar fushës së kërkimit shkencor dhe përfshirjes së shoqërisë civile. Që në fillimet e tij, “Procesi i Berlinit”, ka pasur progres në formimin profesional dhe arsimin e mëtejshëm, si dhe njohjen reciproke të diplomave universitare dhe bashkëpunimin akademik. Megjithatë, gjatë Samitit u evidentua se më shumë progres duhet bërë në këtë drejtim. Po kështu, “Procesi i Berlinit” ka ndikuar edhe në afrimitetin midis vendeve të rajonit, gjë e cila ka sjellë një intensifikim të dukshëm në kontaktet midis krerëve të qeverive të Ballkanit Perëndimor. Sipas Konkluzioneve të Samitit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për vazhdimin e Procesit të Berlinit në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali i plotë i bashkëpunimit rajonal të përmirësuar, gjithashtu me synimin për të kapërcyer pasojat socio-ekonomike të shkaktuara nga COVID-19.
Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan se zgjerimi i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor përbën një investim strategjik në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë, duke rikonfirmuar pikëpamjen e kahershme se e ardhmja e të gjithë rajonit qëndron brenda BE-së.
Ndër sfidat që mbeten ende të rëndësishme dhe që kërkojnë vullnet politik për tu kapërcyer, janë edhe mosmarrëveshjet bilaterale midis vendeve si Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë dhe destabiliteti në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjatë Samitit u konfirmua se gjatë Presidencës Sllovene të Këshillit Europian, do të mbahet edhe Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor i cili synon të zhvillojë më pas procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Një tjetër zhvillim i Samitit ishte edhe njoftimi mbi takimin e ardhshëm dixhital të Ballkanit Perëndimor, një ngjarje kryesore e agjendës rajonale të integrimit ekonomik – i cili këtë herë do të mbahet në 11-13 tetor 2021 në Mal të Zi.
Qëllimi thelbësor mbetet përafrimi midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për të mundësuar anëtarësimin në BE pas reformave kyce.
Lidhur me Forumin e Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2021, pjesëmarrësit mirëpritën rekomandimet e përpunuara nga dhjetë grupet e punës së Forumit, në lidhje me përfshirjen më të fortë të qytetarëve në proceset e zgjerimit të BE-së, rëndësinë e pajtimit dhe mediat e lira dhe të pavarura, fokusi në tranzicionin e mjedisit dhe energjisë, dhe integrimi i plotë i romëve dhe pakicave.
Për të mësuar më shumë rreth konkluzioneve të Samitit, klikoni këtu.