Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet kombëtar për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Portali “CONNECT with EU”, me anë të rubrikave të ndryshme, ju fton të mësoni më shumë rreth Bashkimit Evropian duke ofruar me një gjuhë të thjeshtë një perspektivë më të gjerë ndaj politikave, institucioneve dhe debateve të vazhdueshme në korridoret evropiane.
Bashkimi Evropian është një bashkim ekonomik dhe politik, unik në llojin e tij, i 28 shteteve dhe 500 milionë qytetarëve. Ideja për krijimin e Bashkimit Evropian lindi pas Luftës së Dytë Botërore për të promovuar bashkëpunimin ekonomik të 6 shteteve, nisur nga parimi se zhvillimi ekonomik midis shteteve do të sjellë një ndërveprim ndërmjet tyre dhe do të ulë konfliktet, që shkaktonin luftëra.
Karakteristika unike e BE-së është se, krahas sovranitetit dhe pavarësisë të të gjitha vendeve anëtare, ato kanë bashkuar një pjesë të ‘sovranitetit’ të tyre. Ato delegojnë një pjesë të kompetencave të tyre vendim-marrëse në institucionet e tyre të përbashkëta që ata kanë krijuar, në mënyrë që vendimet për çështje specifike me interes të përbashkët, mund të bëhen në mënyrë demokratike në nivel evropian. Bashkimi Evropian bazohet mbi vlera të tilla si: respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, respektin për ligjin dhe të drejtat e njeriut. Ai ka simbolet e tij: Flamurin (dymbëdhjetë yje në një sfond blu), himnin e tij (“Oda e Gëzimit” e Ludvig van Bethovenit), moton e tij (“Të bashkuar në larmi”), monedhën e tij (Euron) dhe Ditën e Europës (9 Maj).
Për më shumë informacion në lidhje me Bashkimin Evropian ju mund të vizitoni faqen e mëposhtme, ku informacioni është i pasqyruar në 24 gjuhë: