Çfarë janë kapitujt e acquis?
Anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e “Kritereve të Kopenhagës” të cilat kërkojnë nga vendi kandidat:
- Të sigurojë institucione për të garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e minoriteteve – i cili ndryshe njihet edhe si Kriteri Politik;
- Të sigurojë ekonomi tregu funksionale e të aftë për të përballuar konkurrencën në tregun e BE-së – i cili ndryshe njihet edhe si Kriteri Ekonomik;
- Të ketë kapacitete administrative dhe institucionale të afta për të zbatuar legjislacionin e BE-së – i njohur ndryshe si acquis ose “acquis communautaire”.
Përafrimi i legjislacionit të vendeve kandidatee me atë të BE-së, është një kriter dhe kusht shumë i rëndësishëm për të qënë anëtar i Bashkimit Evropian. Ky acquis përbëhet nga 33 kapituj apo fusha të ndyshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra.
Negociatat e anëtarësimit në BE kalojnë nëpër tre etapa kryesore:
- Në shqyrtimin analitik të legjislacionit (Screening);
- Në hapjen dhe zhvillimin e tyre për çdo kapitull të acquis;
- Në mbylljen e negociatave për çdo kapitull dhe nënshkrimin e Traktatit të Aderimit.
33 kapitujt e “acquis communautaire” janë si më poshtë:
Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave
Kapitulli 2: Lëvizja e lirë e punëtorëve
Kapitulli 3: E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime
Kapitulli 4: Lëvizja e lirë e kapitalit
Kapitulli 5: Prokurimi publik
Kapitulli 6: Legjislacioni për shoqëritë tregtare
Kapitulli 7: E drejta e pronësisë intelektuale
Kapitulli 8: Politika e konkurrencës
Kapitulli 9: Shërbimet financiare
Kapitulli 10: Shoqëria e informacionit dhe media
Kapitulli 11: Bujqësia dhe zhvillimi rural
Kapitulli 12: Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve
Kapitulli 13: Peshkimi
Kapitulli 14: Politika e transportit
Kapitulli 15: Energjia
Kapitulli 16: Tatimet
Kapitulli 17: Politikat ekonomike dhe monetare
Kapitulli 18: Statistikat
Kapitulli 19: Politikat sociale dhe të punësimit
Kapitulli 20: Ndërmarrjet dhe politikat industriale
Kapitulli 21: Rrjetet transevropiane
Kapitulli 22: Politikat rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore
Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24: Drejtësia, liria dhe siguria
Kapitulli 25: Shkenca dhe kërkimi shkencor
Kapitulli 26: Arsimi dhe kultura
Kapitulli 27: Mjedisi dhe ndryshimet klimatike
Kapitulli 28: Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik
Kapitulli 29: Bashkimi doganor
Kapitulli 30: Marrëdhëniet me jashtë
Kapitulli 31: Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
Kapitulli 32: Kontrolli financiar
Kapitulli 33: Dispozitat financiare dhe buxhetore