Datë: 5 Shkurt, 2020 / Burimi: Komisioni Evropian
Burimi i fotografisë: Komisioni Evropian, 2019
Procesi i antarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor do të ketë një qasje të re që pritet të sjellë më shpejt rezultate më të prekshme në rajon. Komisioni Europian deklaroi disa ndryshime në procesin e zgjerimit dhe atë të vlerësimit të kritereve pranuese për hapjen e negociatave. Sidoqoftë duket se bazat mbeten të pandryshuara. Sipas të deklaratës së Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjeriminm propozimi i Komisionit Evropian është një iniciativë për të çuar përpara procesin e pranimit në BE, duke e bërë atë më të besueshëm, me një drejtim më të fortë politik, më dinamik dhe më të parashikueshëm.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi ka komentuar se: “Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore për Komisionin. Ne jemi duke punuar në tre pista: Së pari, sot ne propozojmë hapa konkret për përmirësimin e procesit të pranimit. Ndërsa ne jemi duke forcuar dhe përmirësuar procesin, qëllimi mbetet pranimi dhe anëtarësimi i plotë në BE. Së dyti, dhe paralelisht, Komisioni qëndron fort në rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe së shpejti do të sigurojë një përditësim mbi përparimin e bërë nga këto dy vende. Së treti, në përgatitjen e Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në Maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin. “
Sipas komunikimit të Komisioni, propozimi mbi metodologjinë e re të zgjerimit bazohet në pikat e mëposhtme:
- Një proces më i besueshëm: Procesi i pranimit duhet të bazohet në mirëbesim të ndërsjellë dhe angazhime të qarta nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor. Besueshmëria duhet të forcohet përmes një fokusi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate.
- Një drejtim më i fortë politik: Natyra politike e procesit të pranimit kërkon një udhëheqje më të fortë politike dhe angazhim në nivelet më të larta. Komisioni propozon të rrisë mundësinë e dialogut politik, përmes takimeve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, Shtetet Anëtare duhet të përfshihen në mënyrë më sistematike në monitorimin dhe rishikimin e procesit.
- Një proces më dinamik: Për të injektuar dinamizëm të mëtejshëm në procesin e negociatave, Komisioni propozon grupimin e kapitujve negociues në gjashtë grupime tematike si; tregu i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; axhenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; marrëdhëniet e jashtme.
- Një proces më i parashikueshëm: Komisioni do të sigurojë qartësi më të madhe në lidhje me atë çfarë BE-ja pret nga vendet e zgjerimit në fazat e ndryshme të procesit, si dhe kërkon të bëjë më të qartë se cilat mund të jenë pasojat pozitive qe sjell përparimi i reformave dhe cilat do të jenë pasojat negative nëse nuk ka përparim.
Së fundmi, Komisioni shpreson që Shtetet Anëtare do të miratojnë propozimin, paralelisht me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përpara Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Zagreb në 6-7 maj 2020.
Ju mund të lexoni dokumentin e plotë duke klikuar këtu.