Datë: 07 Maj, 2020 / Burimi: Politico dhe Deutsche Welle
Burimi i fotografisë: Jurica Galoic/PIXSELL/EU2020HR
Samiti i Zagrebit, i konsideruar ndryshe si eventi kryesor për presidencën e parë gjashtëmujore të Kroacisë në BE, u mbajt në datën 6 Maj në mënyrë virtuale për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid-19. Dhe pikërisht kjo pandemi mori dhe vëmendjen kryesore në diskutimet mes përfaqësuesve të BE-së, shteteve anëtare dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimet dhe deklarata përfundimtare kishin fokus kryesor përballimin e përbashkët dhe solidar të pandemisë mes partnerëve dhe ri-afirmimin e angazhimeve të nxjerra në samitet e mëparshme të Selanikut dhe Sofies, kryesisht lidhur me të ardhmen Evropiane të rajonit.
Nga “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE” në Samitin e Selanikun (2003), tek “mbështetja për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor” në Sofje (2018) dhe tani në Zagreb tregon për hezitimin e shtuar në radhët e lidërve të shteteve anëtare të BE-së. Gjithashtu, gjuha e përdorur në Deklaratën e Përbashkët të Samitit të Zagrebit, është më qortuese dhe kërkuese lidhur me reformat që duhet të ndërmarrë secili vend në rajon, nivelin e bashkëpunimit për të arritur objektivat e fqinjësisë së mirë me zgjidhje përfundimtare të çështjeve konfliktuale si dialogu Kosovë-Serbi, si dhe tërheqja e vëmendjes për kthimin në sikron të politikave të jashtme të vendeve të rajonit me ato të BE-së sidomos për çështjet madhore (përgjigje ndaj afrimit të Serbisë me Kinën dhe Rusinë).
Gjatë samitit nuk u përmend diçka konkrete sa i takon procesit të anëtarësimit, si ndonjë datë apo afat për çuarjen përpara të proceseve në të ardhmen e secilit vend të rajonit. Megjithatë, në terma të përgjithshme, perspektiva e anëtarësimit u konfirmua si prioritare për mandatin e Komisionit aktual. Gjithashtu, u rikonfirmuan edhe një herë objektivat e përbashkëta të shprehura në dy samitet paraardhëse për ruatjen e vlerave të Unionit me promovimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çështjet e sigurisë lidhur me terrorizmin dhe ekstremizmin, frenimin e rrjedhjeve të migracionit të paligjshëm, luftën kundër dhe sigurinë kibernetike. Nga krahu tjetër, vendet e Ballkanit Perëndimor ripohojnë zotimin për vazhdimin e reformave që do ta çojnë përpara procesin nga ana e tyre.
Çka ishte konkrete në diskutime dhe rezultate ishte aktualiteti i pandemisë. BE dërgoi një mesazh të qartë se prezenca e saj në rajon do të jetë domethënëse. Një paketë prej 3.3 miliard euro do të vihet në dispozicion të përballimit të pandemisë për 6 vendet e rajonit. Për këtë, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen u shpreh: “fakti se kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim shkojnë shumë më larg nga çfarë i është dhënë rajonit nga ndonjë partner tjetër meriton të njihet publikisht”. Në deklaratën e përbashkët të këtij Samiti përfshihet edhe angazhimi për përballje të përbashkët edhe gjatë fazave të mëtejshme të rimëkëmbjes ekonomike.
Deklarata vuri theksin në përmirësimin e marrdhënieve të fqinjësisë dhe mbështet fort iniciativat e bashkëpunimit rajonal. Nga Samiti i Sofjes ku shprehimisht kërkohej një shtim i fokusit në bashkëpunimin rajonal kryesisht në fushat e Energjisë dhe Transportit, përmes implementimit të acquis për Traktatet e Komunitetit të Energjisë dhe Komunitetit të Transportit, gjuha në Zagreb ishte më e përgjithësuar duke kërkuar shrytëzimin e kapaciteteve të bashkëpunimit ekonomik nën Zonën Ekonomike Rajonale, edhe kjo e sjellë nën premisat e situatës pandemike.
Teksa pritej që prej situatës së pandemisë ky samit nuk do të përmbushte pritshmëritë e organizatorëve të cilët iniciativën për Samitin e Zagrebit e shprehën që në deklaratën e përbashkët në Sofje, mungesa e një axhende konkrete të bashkangjitur në Deklaratë duket se tregon për një rënie të interesit të Unionit në rajon. Duket se aktualisht BE nuk e ka luksin e të zhvendosurit të fokusit jashtë problemeve të saj të brendshme, të thelluara edhe më shumë nga pandemia. Shpresat për një rivitalizim të marrdhënies mes palëve mund të rilindin pas daljes nga situata kritike e pandemisë.
Deklaratat e plota të 3 samiteve janë si më poshtë:
EU-Western Balkans Summit Zagreb, 6 maj 2020
EU-Western Balkans Summit Sofie, 17 maj 2018
EU-Western Balkans Summit Thessaloniki, 21 June 2003