Datë: 29 Qershor, 2020 / Burimi: Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Burimi i fotografisë: Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Më 29 qershor 2020, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) organizoi në partneritet me Fondacionin Friedrich-Ebert në Tiranë, Fondacionin Friedrich-Ebert në Bruksel dhe portalin European Westen Balkans, Diskutimin Online “Zgjerimi i BE-së: Për një rol më të gjerë të rinisë dhe shoqërisë civile”.
Nën moderimin e Z. Nemanja Todorović Štiplija, Kryeredaktor i portalit European Western Balkans dhe përmes një diskutimi me aktorë dhe ekspertë të ndryshëm në procesin e integrimit në BE, ky event ofroi mundësinë për të rishikuar mekanizmat aktualë si dhe mjetet e tjera përmes të cilave mbështetja e ri-gjeneruar e BE-së për rajonin mund të përkthehet në një rol më të gjerë dhe aktiv të grupeve rinore dhe shoqërisë civile.
Panelistët diskutuan gjithashtu edhe për sfidat aktuale të zgjerimit të BE-së, duke u përqëndruar në metodologjinë e re të zgjerimit dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht organizatave të shoqërisë civile në debatet kryesore të BE-së.
Diskutimi filloi me fjalën përshëndetëse të Z. Matthias Hedder, Zëvendës Drejtues i Zyrës së Fondacionit Friedrich-Ebert në Bruksel dhe Znj. Stine Klapper, Drejtoreshë e Fondacionit Friedrich-Ebert- në Tiranë, e cila theksoi edhe një herë rëndësinë për të përfshirë shoqërinë civile në politikëbërje. Zonja Klapper gjithashtu shtoi se: “Të gjitha reformat e ndryshme që ne do të duhet të ndjekim në vitet e ardhshme varen jo vetëm nga politikëbërësit por edhe nga shoqëria. Në këtë drejtim, politikëbërësit kanë nevojë për ekspertizën e shoqërisë civile.”
Znj. Krisela Hackaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, shtoi se të rinjtë dhe OShC-të janë shumë të interesuar për procesin e Integrimit Evropian, por ata nuk janë të vetëdijshëm sa duhet për modalitetet përkatëse të pjesëmarrjes. Këtë këndvështrim e ndau edhe Znj. Dafina Peci, Drejtoreshë Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, e cila argumentoi se ekziston një nivel i lartë entuziazmi nga të rinjtë drejt integrimit në BE, por ky entuziazëm nuk mbështetet me informacionin e duhur, njohuri dhe format e pjesëmarrjes.
Lidhur me metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, Z. Florent Marciacq, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm, Qendra Austro-Franceze për Rivendosjen e Marrëdhënjeve Miqësore në Evropë (Vjenë)/ Austro-French Centre for Rapprochement in Europe (Vienna), shpjegoi se tashmë vendet e rajonit mund të marrin pjesë në programet e BE-së, mund të përfshihen më shumë në politika të caktuara sektoriale, përfitojnë nga disa financa të caktuara, të marrin pjesë në takime si vëzhgues, të jenë më të përfshirë në përgjithësi. Sidoqoftë, në këtë metodologji të re, OShC-të mbeten të papërfshira.
Në vijim të qasjes rajonale të projektit CONNECT, duke shkëmbyer herë pas here edhe praktikat më të mira të vendeve të rajonit pararojë në procesin e Integrimit në BE, pjesëmarrja e Znj. Miljana Pejić, Menaxhere Programi pranë Këshillit Rinor Kombëtar të Serbisë ofroi një perspektivë rajonale.
Sa i takon mekanizmave aktualë për pjesëmarrjen e OShC-ve dhe veçanërisht të rinjve në vendimmarrje dhe përfshirjen e tyre më tej në procesin e integrimit në BE, Znj. Pejiç shtoi se “Paqëndrueshmëria e organizatave në lidhje me çështjet financiare, por edhe burimet e tjera e bëjnë të pamundur që organizatat të monitorojnë apo kryejnë funksionin ‘watchdog” dhe të kenë një zë në nivel lokal.”
Axhenda e seminarit rajonal mund të konsultohet këtu.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Një qasje sektoriale për kontributin e shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian- CONNECT,” i cili financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë / (CFCU) dhe zbatohet nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert (Tiranë) dhe Centar Savremene Politike / European Western Balkans (Beograd).
* Ky diskutim online ishte aktiviteti i fundit në kuadër të projektit CONNECT, duke përmbyllur kështu, 18 muaj të suksesshëm të konsultimeve lokale dhe krijimit të një baze njohurish mbi integrimin evropian në Shqipëri, duke marrë në konsideratë praktikat më të mira dhe përvojën e vendeve fqinjë pararojë në procesin e Integrimit në BE, si dhe duke ndërtuar një bazë dokumentale publike e të qëndrueshme në shërbim të grupeve të interesuar në Shqipëri. Tashmë, projekti do të vazhdojë si një Iniciativë Flamur, me qëllim ofrimin e një perspektive më të gjerë e të vazhdueshme sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe dinamikave institucionale të këtij procesi.
Video | Diskutim Online “Zgjerimi i BE-së: Për një rol më të gjerë të rinisë dhe shoqërisë civile”| 29 Qershor 2020