Datë: 6 Janar, 2021 / Burimi: 2021 portugal.eu dhe Euractiv
Burimi i fotografisë: 2021portugal.eu
Fillimi i vitit të ri përkon edhe me rotacionin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, i cili në 6-mujorin e ardhshëm do të udhëhiqet nga Portugalia. (Presidenca e Këshillit ndërrohet midis vendeve anëtare të BE-së çdo gjashtë muaj – Treshja aktuale e presidencës përbëhet nga Gjermania (gjysma e dytë e vitit 2020), Portugalia (gjysma e parë e 2021) dhe Sllovenia (gjysma e dytë e 2021).
Disa nga përparësitë kryesorë për Presidencën e rradhës janë:
·Promovimi i një rimëkëmbjeje të lëvruar nga klima dhe tranzicioni dixhital;
· Zbatimi i Shtyllës Evropiane të të Drejtave Sociale të Bashkimit Evropian si një element dallues për të siguruar një klimë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe tranzicionin dixhital;
· Fuqizimi i autonomisë së Evropës, duke marrë një rol udhëheqës në veprimet klimatike dhe duke promovuar një transformim digjital në shërbim të njerëzve.
Kriza e shkaktuar nga COVID-19 mbetet ende një sfidë e madhe për Bashkimin Europian, ndaj Presidenca Portugeze do të bëjë të mundur gjithçka që këto 6 muaj të jenë fillimi i një cikli të ri për Europën.
Një nga përparësitë kryesore është zbatimi i Planit Financiar Shumëvjeçar (Multiannual Financial Framework – MFF) 2021-2027 dhe i Instrumentit të Gjeneratës tjetër të BE-së (EU Next Generation Instrument / Next Generation EU), të cilat përfshijnë një seri instrumentesh financiare inovative për mbështetjen e rritjes ekonomike në Europë, me focus të veçantë tek rimëkëmbja dhe qëndrueshmëria.
Vëmendje e Presidencës së rradhës mbetet gjithashtu tek mbrojtja e vlerave të saj, duke konsoliduar shtetin e së drejtës, luftës ndaj disinformimit dhe promovimit të lirisë në media, fuqizimi i modelit Social Europian dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve.
Një tjetër fokus i Presidencës Portugeze do të jetë suporti për të krijuar “Bashkimi Europian Shëndetësor”, i cili do të rrisë kapacitetet për tu përgjigjur ndaj krizave të shëndetit publik si në rastin e Covid-19 dhe shpërndarjes së vaksinës në Europë.
Në rrafshin ndërkombëtar prioritet mbetet edhe fuqizimi i BE-së në arenën ndërkombëtare si një aktor aktiv global, ku Portugalia do të investojë në forcimin e multilateralizmit dhe afirmimit të Bashkimit Europian si një lojtar global, lidershipi i së cilit është i nevojshëm në shumë çështje të arenës ndërkombëtare. Presidenca do të ketë në fokus gjithashtu marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Afrikën dhe Amerikën Latine. Prioritet i lartë mbeten marrëdhëniet transatlantike dhe një agjendë e re me administratën e re të Shteteve të Bashkuara.
Ajo që nuk vihet re në prioritetet e presidencës portugeze është zgjerimi në Ballkanin Perëndimor dhe duket se në 6 mujorin e parë të këtij viti nuk do të ketë asnjë përparim të rëndësishëm sa i takon axhendës së zgjerimit të BE-së. Më shumë se kurrë, zhvillimi i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor dhe procesi i anëtarësimit në BE kanë mbetur në udhëkryq. Për të lexuar programin e plotë të Presidencë Portugeze, klikoni këtu.