Procesi i Negociatave

Procesi i negociatave është faza kryesore për anëtarësimin e vendit tonë në BE dhe varet nga ecuria e reformave në sektorët përkatës si dhe nga qëndrueshmëria e tyre. Megjithatë, dinamikat e negociatave për anëtarësim po lëvizin gradualisht nga implementimi procedural i acquis communautaire (shpesh e përshkruar si provimi pranues) drejt sigurimit që ky acquis po zbatohet siç duhet nga vendi i pranimit dhe se është i qëndrueshëm. Kjo dinamikë përfshin një zhvendosje nga procesi tekniko-mekanik i hapjes / mbylljes së kapitujve të udhëhequr nga administrata publike, dhe drejt një qasjeje më të përqëndruar tek qytetarët. Në këtë kuadër, është e nevojshme që ky proces të njihet mirë nga qytetarët me anë të një informacioni më të aksesueshem, të qartë dhe miqësor për të bërë të mundur përfshirjen e aktorëve joqeveritarë në këtë proces të rëndësishëm.

Procesi i antarësimit në BE të një vendi kandidat është i përbërë nga dy procese paralele:

Procesi i asocimit në BE në baze të marrëveshjes së asocimit Objektivi kryesor i marrëveshjes së asocimit, në rastin e Republikës së Shqipërisë- Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është krijuar për të ofruar një strukturë për harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të BE-së e njohur ndryshe si acquis communitaire si dhe për të bërë të mundur implementimin e tij. Në këtë kontekst, hartohet dhe implementohet Plani Kombëtar për Përshtatjen e Acquis si dhe po në këtë kuadër sigurohen fondet e antarësimit të një vendi kandidat. Karakteristikat kyçe  institucionale të procesit të asocimit në BE përfshijnë Këshillin MSA, komisionin MSA dhe nën komisionet MSA, si dhe komsionin Parlamentar të Stabilizim Asocimit.
Procesi i negocimit për antarësim në BE: Gjatë këtij procesi, vendi kandidat duhet të arrijë një marrëveshje me vendet antare të BE-së mbi termat e antarësimit në BE. Procesi është I organizuar nën 35 kapituj negociues të acquis.
Të dyja proceset janë te lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe me avancimin më tej të negociatave, do të bashkohen thuajse në një process të vetëm. Megjithatë, të dyja duhen parë si procese me vete, bazuar në baza  të ndryshme ligjore dhe me detyra të ndryshme.
Buy now